25 Tetor

SHKODRA - TRADITË, KULTURË DHE HISTORI - PANAIR ME VLERA KULTURORE NË QYTETIN VERIOR

 

Ky panair ka plotësisht qëllime edukative, edukimin e brezit të ri dhe njohjen e turistëve me kulturën që mbart ndër vite një nga rajonet në Shqipëri dhe pikërisht ai i Shkodrës.  Paraqitja e vlerave kulturore dhe historike nga Rajoni i Shkodërs do te realizohet jo vetëm nëpërmjet paraqitjes në stenda të institucioneve publike dhe bizneseve private të lidhura me kulturën dhe që kanë kontribuar e vazhdojnë akoma sot për të mbështetur zhvillimin kulturor të këtij rajoni por edhe nga një paradë me veshje, këngë dhe valle që nga koha e fiseve Ilire e deri në ditët tona. Disa nga aktorët kryesorë jane restorantet dhe hotelet, produktet e agrikulturës, si dhe punimet artizanale; pikturat me djegie në dru, punimet tekstile, argjendaritë, maskat, etj. edhe institucionet kulturore, si: Teatri “Migjeni” i Shkodrës, shkolla e muzikës “Prengë Jakova”, Sport Klub “Vllaznia”, Muzeu i Shkodrës, Fototeka Marubi, Galeria e Arteve etj.

Parada fillon në fillim me paraqitjen e veshje Ilire, më pas të veshjeve Arbërore, me recitime mbi vlerat kulturore të qytetit të Shkodrës, valle nga Malësia e Madhe, paradë me veshje nga Malësia e Madhe, paradë me maska karnevalesh të qytetit të Shkodrës, këngë popullore Shkodrane, paradë me veshje të nuses dhe dhëndrit shkodran nga tradita e dasmes shkodrane, këngë qytetare shkodrane dhe në fund me veshje të nuses dhe dhëndrit, shkodran sot.

Gjatë paradës me veshje, këngë dhe valle, një spikere tregon karakteristikat e veshjeve, periudhës të cilës i përkiste dhe ndonjë tjetër kuriozitet në lidhje me to, po ashtu edhe mbi rëndësinë e këngëve dhe valleve. Një gjë interesante në lidhje me veshjet Ilire që u tha ishte se “Fiset Ilire kishin kostumet e veta tradicionale - kësula për meshkuj dhe vele të gjatë për femra, pastaj petk të mbështjellë për kraharor, mbështjellësin me një pelerinë e kështu me radhë. Duhet përmendur se pelerina e tyre, duke u zhvilluar me emrin Dalmatika, hyri edhe në Romë dhe atje mbeti si petk i sipërm i klerit të Romës dhe i mbarë klerikëve të krishterë të ritit katolik.” Apo që “Romakët u frymëzuan nga fustanella ilire kur krijuan veshjet e legjionarëve. Fustanella e famshme shqiptare ishte një veshje e zakonshme për burra në shekullin XIII. Ajo ishte veshur rregullisht nga fisi i dalmatëve, njëri prej fiseve ilire. Në atë kohë ajo quhej "dalmatika".

Valle, këngë dhe veshje si nga Malësia e Madhe. “Me valle malësorët shprehin gëzimet e hidhërimet e jetës “ ndërsa për veshjet “Xhubleta e Malësise sipas studjuesve të mirëfilltë të etnologjisë, paraqet një ndër veshjet me të vjetra të Europës, si mbetje e një qytetërimi të lashtë mesdhetar e ruajtur me shekuj në mënyr besnike dhe autentike në traditen e veshjes popullore shqiptare. Supozohet së Xhubleta  është e vjetër më se 4000 vjecare.”

Një nga çiftet e dhëndrit dhe nuses Shkodrane i shoqëruar me pajton deri në qendër të zonës së parakalimit dhe nën këngët e vallet Shkodrane krijojne një atmosferë shumë të këndshme e të pëlqyer .

 “Kënga popullore qytetare shkodrane, si pjesë përbërëse e gjithë pasurisë folkloristike muzikore të rrethit të Shkodrës, përmban vlera të njohura artistike. Rrepertori i saj i pasur dhe i larmishëm, meloditë e bukura shkodrane janë punuar me mjeshtëri, janë skalitur me rrjedhën e kohërave, nga populli dhe një pjesë e tyre janë pasuruar me elementë gjithnjë e më autoktonë.”

Veshjet e karnevaleve sepse tani festa e karnavaleve ka krijuar portretin e saj shkodran.  Nuk munguan gjithashtu paradë me veshjet e nuses dhe dhëndrit Shkodranë që përfunduan këtë paradë me kërcimin e një valsi.

Ideator dhe organizues i këtij paniri Fakultetin Ekonomik i Universitetit “Luigj Guakuqi” ne bashkëpunime me disa institucione të tjera në rajonin e Shkodërs si me Bashkinë e qytetit Shkodër, Teatrin e qytetit Shkodër, apo edhe me komuna si ajo e Dajçit. Këto bashkëpunime mund të konsiderohen me shumë vlerë sepse sjellin zhvillim dhe në këtë rast ruajnë dhë përçojnë vlerat kulturore të një rajoni, si ai i Shkodërs.