23-24-25 Shkurt
Dita e Karnavaleve.

Tradita e festimit të karnavaleve në Shkodër daton që në 1860, për tu ndërprerë gjatë periudhës moniste e për tu rikthyer pas shembjes së këtij sistemi. Karnavalet e Shkodrës gjithnjë kanë dhënë një imazh spontan, por të lidhur në mënyrë konkrete me rrënjët historike dhe kulturore të këtij qyteti. Për karnavalet e Shkodrës kanë shkruar figura të njohura si: Kolë Gurashi, Filip Ndoca, Gjush Sheldija, Gjon Karma, Lec Shllaku, Sandër Gera, Andrea Skanjeti, etj. Në vitin 1998, nën drejtimin e Fric Fistani karnavalet përsëriten dhe njëherë në variantin e tyre origjinal. Këtë iniciativë e vazhdoi shoqata kulturore “Ilirikum” me kryetar Gjovalin Stefa. Në vitin 2008 për herë të parë në historinë e karnavaleve u paraqit himni i karnavalit me tekst të Angjelin Deda. Drejtues e organizator ishte Zef Deda. Dita e karnavaleve është një festë, ku ndërthuret historia dhe kultura, e cila në vetvete përmban shumë domethënie aq sa përmban dhe një maskë apo ngjyrë karakteristike e kësaj feste. Një festë që nuk përcjell vetëm harmoni, por largon e thyen kështu rutinën, monotoninë e përditshme që karakterizon përditshmërinë e njerëzve.